1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Antisemitizmi ndër muslimanët në Gjermani

22 Prill 2023

A janë paragjykimet dhe urrejtja ndaj hebrejve më të përhapura tek muslimanët apo tek njerëzit me sfond migracioni? Rezultatet e hulumtimeve janë shpesh kontradiktore.

https://p.dw.com/p/4QQju
Gjermani: A janë paragjykimet dhe urrejtja ndaj hebrejve më të përhapura te muslimanët apo te njerëzit me sfond migracioni?
Gjermani: A janë paragjykimet dhe urrejtja ndaj hebrejve më të përhapura te muslimanët apo te njerëzit me sfond migracioni? Fotografi: Artur Widak/NurPhoto/picture alliance

Në prag të festës së Pashkëve në mes të Berlinit u zhvillua një demonstratë palestineze me disa qindra vetë. Anëtarë të shoqatës Democ e vëzhgojnë demonstratën dhe publikojnë më vonë një video. Sipas Democ pjesëmarrësit thirrën disa herë "Vdekje, vdekje Izraelit!". Përveç kësaj një burrë thërriste nga një makinë me altoparlant "Vdekje hebrenjve!"

Demonstratë me përmbajtje antisemite
Demonstratë me përmbajtje antisemite Fotografi: Sachelle Babbar/ZUMA Wire/picture alliance

Organet e rendit kryen hetime. Menjëherë pas kësaj u ndaluan dy demonstranta të planifikuara pro-palestineze. Dhe ambasadori izraelit në Gjermani, Ron Prosor, tha se demonstruesit kishin kapërcyer çdo kufi. Ai shkroi në twitter, se pjesëmarrësit shpërdoruan liritë në Gjermani "për të bërë thirrrje për shkatërrimin e Izraelit dhe të hebrenjve". Për Ministrin e Drejtësis,ë Marco Buschmann ekzistojnë parakushtet për nisjen e hetimeve fillestare për nxitje urrejtjeje.

Niveli i hulumtimeve relativisht i dobët

Demonstrata të tilla çojnë ujë në mullirin e atyre, që besojnë se antisemitizmi te myslimanët dhe njerëzit me prejardhje migracioni është shumë më i theksuar sesa te njerëzit pa prejardhje migracioni dhe jomuslimanë. Megjithatë Sina Arnold nga Qendra për Kërkime mbi Antisemitizmin në Universitetin Teknik (TU) Berlin thekson: "Në varësi të llojit të antisemitizmit që shqyrtoni, njerëzit me sfond migracioni dhe muslimanët tregojnë herë qëndrime më të forta, herë më të dobëta antisemite sesa njerëzit pa sfond migracioni ose jomuslimanë." Nuk mund të bëhen deklarata të përgjithshme lidhur me antisemitizmin në grupet e popullsisë së shqyrtuar. Me porosi të shërbimit mediatik Integration ajo shqyrtoi dhe përmblodhi studimet më të rëndësishme mbi këtë temë për TU Berlin.

Sina Arnold nga Qendra për Kërkime mbi Antisemitizmin në Universitetin Teknik (TU) Berlin
Sina Arnold nga Qendra për Kërkime mbi Antisemitizmin në Universitetin Teknik (TU) BerlinFotografi: Ruthe Zuntz

Arnold është edhe drejtuese projekti në Institutin Kërkimor për Kohezionin Social dhe ka vite që studion qëndrimet ndaj judaizmit, holokaustit dhe konfliktit të Lindjes së Mesme. Kështu ajo hulumton shkaqet e qëndrimeve antisemite mes refugjatëve dhe të ardhurve të tjerë. Një fushë pothuajse e re, sepse hulumtimet mbi këtë temë shumë të nxehtë janë ende relativisht të rralla. Nga ana tjetër ka studime të shumta shkencore, që dëshmojnë se antisemitizmi është një fenomen i përhapur në të gjithë shoqërinë gjermane.

Antisemitizmi i lidhur me Izraelin varet nga koha e qëndrimit

Incidentet antisemite si ai në Berlin pak para Pashkëve i përkasin kategorisë së antisemitizmit në lidhje me Izraelin. Për shembull kur politika e Izraelit barazohet me nacionalsocializmin, kur hebrenjtë në mbarë botën bëhen përgjegjës për politikën e Izraelit, apo kur Izraelit i mohohet e drejta e ekzistencës. Kjo thotë Arnold, duke përmbledhur rezultatet e studimeve, është më e përhapur në mesin e njerëzve me prejardhje migracioni sesa tek ato pa sfond migracioni.

"Studimet shohin një lidhje me kohën e qëndrimit tek njerëzit me sfond migracioni. Niveli i miratimit të deklaratave antisemite bie, sa më gjatë që migrantët të jetojnë në Gjermani", shpjegon Arnold të ashtuquajturin efekt akulturimi, "pra ndodh një adaptim me tabunë zyrtare të antisemitizmit në shoqërisë gjermane”.

Antisemitizmi dytësor më pak i theksuar te muslimanët

Në disa vende nga vijnë migrantët, antisemitizmi është më i përhapur se në Gjermani dhe është shpesh pjesë e propagandës shtetërore. Antisemitizmi lidhur me Izraelin është gjithashtu më i theksuar tek muslimanët. "Shpjegimet janë orientimi fetar, qendrimi konservator autoritar dhe prejardhja rajonale dhe kombëtare. Me fjalë të tjera është një anticionizëm institucional, që ndodh në disa prej këtyre rajoneve", thotë ekspertja e antisemitizmit.

Demonstratë në solidaritet me Palestinën: Antisionzimi nuk është antisemitizëm
Demonstratë në solidaritet me Palestinën: Antisionzimi nuk është antisemitizëm Fotografi: Alexander Pohl/aal.photo/IMAGO

Por një pamje krejtësisht e ndryshme shfaqet, kur bëhet fjalë për antisemitizmin dytësor. Pra kur Holokausti relativizohet ose mohohet apo kur kërkohet t`i vihet vizë së kaluarës. "Kjo tendencë është më pak e pranishme në mesin e njerëzve me sfond migracioni, te muslimanët gjithashtu, sepse kjo formë e antisemitizmit përmban trajtimin e historisë së familjeve gjermane, që mund të mos jetë aq relevante për njerëzit me sfond migracioni”, thotë Arnold.

Studimet lidhur me antisemitizmin klasik kontradiktore

Kategoria e tretë është antisemitizmi klasik, një paragjykim ose botëkuptim, në të cilin hebrenjve u atribuohen disa karakteristika biologjike, "racore" ose kulturore. Këto stereotipe shpërshfaqen shpesh në teori konspirative. "Këtu situata e hulumtimeve është me të vërtetë kontradiktore. Ka studime, që gjejnë vlera më të larta, të tjera vlera të ngjashme, të tjera vlera më të ulëta te njerëzit me sfond migracioni në krahasim me njerëzit pa sfond migracioni", thotë Arnold. "Por antisemitizmi është më i lartë në mesin e njerëzve me prejardhje migracioni, që nuk kanë nënshtetësi gjermane."

Këtu antisemitizmi është edhe çështje brezash, edhe origjine. Emigrantët për shembull kanë më shumë gjasa të pajtohen me deklaratat antisemite sesa fëmijët e tyre. Dallime të mëdha ka edhe përsa u përket vendeve të origjinës. "Vlerat e mbështetjes së deklaratave antisemite janë më të ulëta te njerëzit me prejardhje migrimi nga vendet anëtare të BE sesa te njerëzit me prejardhje emigracioni turk ose arab.”

Paralele me qendrimet e votuesve të AfD-së

Sipas hulumtimeve të Arnold, për më shumë se pesë milionë myslimanë në Gjermani vlerat e aprovimit të antisemitizmit klasikjanë përgjithësisht më të larta se për jomuslimanët. Krahas interpretimit dogmatiko-fundamentalist apo tradicional-konservator të fesë dhe nacionalizmit arab, zhgënjimi personal për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme janë gjithashtu shpjegime të mundshme.

"Berlin Monitor" në vitin 2019 doli në përfundimin interesant se muslimanët me paragjykime antisemite "nuk ndryshojnë në aspektin e kodit të vlerave dhe të qasjes së tyre nga qarqet konservatore dhe autoritare të popullsisë gjermane (jomuslimanë) – pra nga disa votues të AfD-së, pasi antisemitizmi është më pak pasojë e fesë sesa e qasjes konservatore-autoritare.

 

Një burrë i gjatë i hollë me flokë verdha dhe këmishë të zezë duke parë serioz në drejtim të kamerës
Oliver Pieper gazetar për politikën dhe shoqërinë gjermane, si dhe për çështjet e Amerikës së Jugut.